Deputeti i zgjedhur nga radhët e PD, Kreshnik Çollaku, në një lidhje për Fax News, ka komentuar zhvillimet më të fundit në kuadër të nismës për ballkanin e hapur. Çollaku tha se nisma është një përpjekje serioze për rikthimin e Jugosllavisë së re, ku Serbia do të jetë ajo që do të udhëheqë shtetet e tjera.
Sa i takon qëndrimit të Ramës, Çollaku tha se ai është paradoksial, sa kohë që përfitimet e vendit tonë janë të pakta.
“Dua të them që është një operacion propagande, një zhurmë që e krijon. Nisma është një rikthim i Jugosllavisë së re, është brilante në favor të interesave të Serbisë. Është mbështetur në mënyrë paradoksiale nga Shqipëria, e majta në Maqedoni ka një ndërlidhje të fortë me Serbinë në kohë të ndryshme. Kryeministri Rama ka krijuar përplasje me Kosovën.
Ne dje dhe sot kemi qenë dëshmitar të një spekulimi totalisht të rëndomtë, kryeministri Rama në mënyrë spekulative mori një citim të zëdhënësit të qeverisë Gjermane, që fliste për një citim kundër minishengenit, dhe Rama e markoi në favor të tij.
BE tha sot se mbështet një bashkëpunim gjithëpërfshirës mes vendeve të Ballkanit, që janë 6. Janë pro një tregu të përbashkët ballkanik, me orientim BE. DASH konfirmoi as më pak dhe as më shumë këtë gjë, kërkojnë përfshirjen e të gjashta vendeve.
Nuk mund të kemi një ballkan ku marrin pjesë vetëm 3 vende. Minishengeni është një krijesë serbe, e mbështetur më pas nga Rama dhe nga Zaev”, tha mes të tjerave Çollaku.
Deputeti i zgjedhur tha se ballkani perëndimor duhet të jetë i orientuar përherë nga BE, ku Gjermania duhet të jetë lokomotiva që drejton rrugën e tyre.
“Një tren që ndje lokomotivën e Serbisë, dihet se ku na çon, është unioni euroaziatik, në aleanca me Rusinë dhe me Kinën, atëherë pse duhet mbështetur kjo nismë? Tre vende të Ballkanit nuk janë dakord me këtë nismë”, tha më tej Çollaku, ndërsa akuzoi se Rama nuk është konsultuar me asnjë institucion për këtë nismë.