Ekipi i futbollit Burreli do të luajë të shtunën një tjetër sifdë të vështirë, ndonëse në shtëpinë e tij. Matjanët do të presin në “Liri Ballabani” ekipin e Besëlidhjes së Lezhës e cila drejtohet nga ish trajneri i Burrelit në sezonin e kaluar Elvis Plori. Por për Administratorin e KF Burreli, Bajram Ballabani skudra matjane është në gjendje ta përballojë Besëlidhjen, madje ta mundë atë.
Ballabani tha se ekipi ka ardhur duke u konsoliduar ndeshje pas ndeshjeje dhe tashmë ka arritur në pikën për të mos lënë asnjë pikë të paktën brenda fushe. Megjithë rezultatet e arritura deri tani, për drejtuesit e klubit asgjë nuk është mbyllur dhe se Burreli do të jetë një skuadër e vështirë për të gjithë grupin.
Nga ana tjetër, administratori Ballabani nuk la pa ju bërë thirrje edhe tifozëve që të vijnë në shkallët e stadiumit e ta mbështesin fort skuadrën e cila ka nevojë për ta.
Ndeshja mes Burrelit dhe Besëlidhjes do të luhet nesër në orën 14:00.