“The Balkan Line”, apo kufiri i Ballkanit, një produksion filmik ruso-serb që pritej të prezantohej edhe në kinemanë e Bujanovcit, është anuluar. Shkaku i anulimit në fakt nuk është origjina e filmit por propaganda dhe urrejtja që përcjell tek shikuesit.
Filmi shfaq atë që kanë bërë trupat ruse në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe mendohet se në këtë film ka jo pak propagandë që do të tensiononte edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Por edhe anulimi i shfaqes së filmit i ka acaruar tonet. Pasi producenti i këtij filmi kishte treguar se ka anuluar shfaqjen e tij në Bujanovc, ka reaguar menjëherë ministri serb i Kulturës, Vladan Bukosav-ljevic.
Ai ka thënë se ky akt tregon se politika po ndikon edhe në kulturë duke censuruar duke shtuar se maniupulime të tilla politike s’janë aspak të mira. Pas kësaj, ka reaguar edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Buajnovc, Jetmir Ismaili, që kishte vendosur që në institucionin që ai drejton të mos shfaqet filmi për luftën në Kosovë.
Sipas tij, edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si propagandistik. “Arsyeja e vetme e ndalimit të shfaqjes së filmit është që të mos ketë urrejtje midis shqiptarëve dhe serbëve. Urrejtja është e pranishme, por ne nuk duam që ajo të ringjallet më shumë. Në bazë të kritikave që kemi lexuar, në atë film nuk ka të vërteta. Keqpërdoret edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje edhe mediat ndërkombëtare e kanë cekur që është një film që nxit urrejtje”, u shpreh Ismaili.
“The Balkan line” pritej që të shfaqej të dielën në Bujanovc, por dyert e godinës së kulturës, për këtë film u mbyllën.