Një ditë më parë Burreli mbylli zyrtarisht garën për të qenë pjesë e superligës në sezonin e ardhshëm pas humbjes ndaj Tomorit të Beratit me rezultatin 1 me 2 në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”. Pas 13 vitesh matjanët luanin në një ndeshje play off për tu ngjitur në ligën superiore. Administratori i Klubit të Futbollit “Burreli”, Bajram Ballabani bën bilancin e 22 ndeshjeve të luajtura në sezonin 2020 – 2021. Burreli ka fituar 13 përballje, në 5 ndeshje ka barazuar dhe ka pësuar vetëm katër humbje. Administratori Ballabani tha se që në fillim u punua për një ekip pretendent për superligë dhe gjatë rrugës u vendos i objektiv kalimi në elitën e futbollit.
“Që në fillim, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë, me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm krijuam mundësinë të ndërtojmë një ekip pretendent për superligë dhe e ndërtuam bashkë me stafin drejtues. Nisëm një punë të mirë. Bilanci i përgjithshëm ishte pozitiv pavarësisht se nuk ja arritëm qëllimit. Gjatë këtij sezoni arritëm 13 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje” – u shpreh Ballabani.
Nga ana tjetër Ballabani tha se klubi ka qenë korrekt për çdo gjë gjatë gjithë sezonit, ndaj sportistëve apo dhe stafit teknik, jo vetëm nga ana financiare, por edhe në krijimin e kushteve komode për të punuar fort në realizimin e objektivit.
“Duke krijuar mundësinë të ndërtojmë një ekip të mirë për superligë arritëm shumë. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj për suportin dhe mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kohës. Kemi qenë ndër ekipet më të mira të kategorisë së parë sa i përket kushteve të krijuara për sportistët dhe stafin teknik, pagesat, shpërblimet etj. u munduam me shpirt që të realizonim ëndërrën e madhe që të kalonim në superligë por futbolli kështu e ka, ndodhin edhe befasi” – tha Administratori i Burrelit, Bajram Ballabani.
Megjithatë, Ballabani shton se gjatë këtij sezoni pati edhe probleme, ku dhe ai vetë shprehet se ka përgjegjësitë e tija, kryesisht në merkaton e dimrit.
“Duke nisur nga unë, të gjithë ne si staf kemi përgjegjësi. Unë kam përgjegjësitë e mia në mosrealizimin e objektivit që i kishim vendosur vetes, për të dalë në superligë. Aty ku e ndjej unë, është që duhej të kisha ndërhyrë në merkaton e dimrit qoftë tek stafi teknik e qoftë tek 2 apo 3 futbollist. Mendoj që këtu është gabimi më i madh i imi. Për këtë ndjenjë përgjegjësie do ta mendoj pozicionin tim pasi të zhvilloj një takim me Kryetarin e Bashkisë Mat, të cilin gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe që mua më besoi administrimin e klubit. Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë ata që na mbështetën, që nga bashkia, donatorët dhe tifozërinë e mrekullueshme brenda dhe jashtë kufijëve që kanë qenë bashkë me ne në këtë rrugëtim”. – përfundoi Ballabani.
Burreli pritet tashmë që të nisë strukturimin që nga stafi teknik e deri tek lojtarët.