Nëse në qytete gëlojnë dritat shumëngjyrëshe që simbolizojnë ardhjen e festave të fundvitit, atë të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në fshatra atmosfera është më e zbehtë, e sidomos në fshatrat malorë siç është Rabdishti në Dibër. Në rrugët e këtij fshati nuk sheh dekorime edhe pse ai është i përzgjedhur si një nga 100 fshatrat turistik të vendit tonë që prej vitit 2018. Banorët thonë se kanë humbur traditat e festave pasi ato nuk festohen si më parë. Dikur kishte përgatitje të ushqimeve, bëheshin vizita tek njëri – tjetri, por sot këto nuk bëhen.
Ndërkohë, bizneset që presin turist në këtë fshat, thonë se kanë pronotime për festën e ndërrimit të viteve, por edhe ata pranojnë se mënyra e të festuarit është zbehur dhe se nuk është më si para 20 vitesh. Sabri Shahini i cili administron bujtinën e tij shton se vizitat tek njëri – tjetri për festa po zhduken.
Rabdishti është ndër fshatrat më të vizituar në Dibër për shkak jo vetëm të pozicionit gjeografik dhe afër qytetit, por edhe për shkak të ndërtesave karakteristike e rrugëve prej kalldrëmi.