Veprat e artit në rrugët nacionale të ndërtuara shumë dekada më parë vijojnë të jenë problematike për shkak të sigurisë. Shumë ura sipas specialistëve duhet të rindërtohen dhe shumë të tjera duhen vlerësuar me ekspertizë për qëndrueshmërinë e tyre.
Por edhe ato që në dukje janë të qëndrueshme kanë nevojë për ndëryrje sidomos tek elementet e sigurisë. Ura e Lusës e cila është pjesë e rrugës nacionale Burrel – Klos, vijon të mos përmbushë sigurinë e kalimit në të sidomos për këmbësorët të cilët nuk kanë një hapsirë të dedikuar të mbrojtur.
Një tjetër problematikë është edhe degradimi i barrierave prej betoni të ndërtuara përnjëherë me urën. Në disa pjesë të urës ato janë dëmtuar dhe në pjesën tjetër janë drejt degradimit total duke mos ofruar asnjë siguri për këmbësorët apo drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë mbi të.
Shumë herë banorët që e përdorin këtë urë për të kaluar në këmbë janë ankuar për mungesën e sigurisë pasi ka patur edhe aksidente që për fat të mirë nuk kanë rezultuar me humbje jete njerëzore.
Por deri tani nuk është bërë asgjë për krijimin e këtyre hapsirave të dedikuara, as kur e gjithë rruga ju nënshtrua një rehabilitimi të plotë në vitin 2018.