Kjo është “Ura e Halilajve” në hyrje të fshatit Dars në Bashkinë e Klosit, e cila është shpallur monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1977. Prej muajsh ajo po përballet me rrezikun e dëmtimit të këmbës veriore për shkak të çarjes së një tubacioni uji që i kalon ngjitur.
Edhe pse rasti është denoncuar publikisht, deri tani nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm të këmbës së saj.
Ky objekt është nën mbrojtjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Kulturës, që monitorohet nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës Tiranë. Sipas ekspertëve, nëse nuk ndërhyhet në kohë situata pritet të agravojë me nisjen e reshjeve të shirave në vjeshtë, duke vënë në pikëpyetje ekzistencën e saj.
Ura ka një rëndësi të madhe historike për shkak të stilit të saj venecian. Ajo pozicionohet midis fshatit Dars, Bel e Fullqet. Ajo gjendet mbi degën e zallit të Gjabzës, rreth 500 metra larg grykëderdhjes së tij në lumin Mat. Është ngritur në një vend shkëmbor. Gjatësia e saj është 19,5 m dhe gjerësia e trasesë është 2.60 m. Lartësia e harkut të urës është 9 m. Ura ka një dritare me lartësi 1.7 m dhe gjerësi 1.1 m. Traseja e urës është ndërtuar me gurë ku: shtresa e parë (poshtë) është me gurë shtufor të gdhendur në mënyrë kuadratike dhe shtresa e dytë (sipër) është me gurë lumi. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m.