Ndërtimet e reja kanë pësuar një rënie vitet e fundit. Këtë e tregojnë statistikat e Institutit të Statistikave të Shqipërisë. Qarku Dibër është i vetmi në rang vendi që për 3 muajt e parë të vitit 2024 nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtesa të reja.
Në të katër Bashkitë e këtij Qarku janë zero leje për tremujorin e parë, kundrejt 2 lejeve që janë dhënë në tre muajt e parë të vitit 2023.
Rënie të numrit të lejeve të dhëna për ndërtesa të reja ka patur në të gjithë vendin për muajt e parë të këtij viti, me ndryshim Tiranën e cila ka dhënë 30 leje më shumë se viti i kaluar.
Ekspertët e lidhin këtë me hezitimin e banorëve apo edhe investitorëve për të investuar në objekte të reja. Ndërsa me gjithë se mungojnë ndërtimet e reja, ka patur kërkesa për investime në rikonstruksione të ndryshme, kryesisht të banesave, por edhe të bizneseve.
Largimi i vazhdueshëm i banorëve në vitet e fundit jashtë shtetit ka ulur nevojën për ndërtesa të reja banimi në të katër qytetet e Qarkut Dibër. Në rang kombëtar, lejet për ndërtesa të reja kanë rënë me 27.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.