Asnjë investim serioz për të përmirësuar qarkullimin normal të automjeteve nuk është bërë prej shumë vitesh në aksin kombëtar Burrel – Skuraj. Megjithëse janë dhënë miliona euro nga taksat e shqiptarëve, ato kanë shkuar vetëm për mirëmbajtje rutinë, duke lënë rrugën në gjendje të rënduar prej të paktën 6 vitesh.

Gjendja e këtij aksi rrugor dallohet qartë që në dalje të qytetit të Burrelit. Megjithëse kjo pjesë rruge është dëmtuar prej 5 vitesh, deri tani nuk është marrë asnjë masë që të riasfaltohet. E vetmja ndërhyrje që është bërë në të ka qenë mbushja me zhavor e gropave, por ka munguar asfalti.

Që nga ish-agjensia e deri tek ish-baza e asfaltit duket qartë mungesa e investimeve serioze.

Veç gropave apo deformimeve të rrugës në disa vende, ajo po dëmtohet edhe anash asfaltit, duke bërë që të happen kanale të mëdha jo për mbledhjen e ujit por nga mungesa e mbushjes me zhavor.

Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve thonë se kalimi në këtë aks të rrugës nacionale, përveç se i vështirë është bërë edhe i rrezikshëm për shkak të deformimeve, gropave e mungesës së një sinjalistike të plotë horizontale e vertikale.