Edhe këtë vit thuajse të gjitha sipërfaqet e mbjella me grurë kanë prani të lulëkuqes. Ndërkohë në luginën e Matit prania e lulëkuqes në fushat me grurë është e madhe dhe thuajse e barabartë me grurin.
Prania e lulëkuqes ka qenë një problematikë me të cilën vitet e fundit po përballen fermerët të cilët mbjellin grurë në luginën e Matit. Specialistët e bujqësisë e pranojnë që prania e lulëkuqes në parcelat me grurë ndikon në rendimentin e prodhimit, pasi merr ushqimin e grurit dhe pengon rrezet e diellit.
Sipas specialistëve mënyra më e mirë për luftimin e saj është ajo tradicionale e ndërrimit të kultivimit të kulturave të ndryshme në të njëjtin vend. Shumë prej fermerëve kanë këputur lulëkuqen nga gruri vetëm pasi ajo kishte çelur në parcelat e mbjella me grurë, por që efekti është minimal.
Prania më e madhe e lulëkuqes është në zonën e Klosit ndërsa më pak ka prekur pacelat e mbjella në fushën e Zenishtit.
Vetë fermerët duhet të ndjekin këshillat e specialistëve dhe të ndërrrojnë vendet e mbjelles së grurit të paktën çdo dy vite.