Firma e cila ka kontratën për mirëmbajtjen e rrugës nacionale Burrel – Skuraj ka ndërhyrë në disa segmente ku janë bërë riparimet e dëmtimit të karrexhatës. Pas ndërtimit të mureve mbrojtëse, firma në fjalë ka nisur asfaltimin e këtyre pjesëve të cilat ishin kthyer në një gangrenë të madhe për drejtuesit e mjeteve. Megjithëse këta të fundit e kanë mirëpritur një gjë të tillë, për specialistët është e kundërta. Ata thonë se hedhja e shtresës asfaltike në këto temperatura nuk jep siguri për qëndrueshmërinë e saj. Megjithatë, sipas tyre kjo mund të jetë një zgjidhje provizore sa për të mos vështirësuar më tej qarkullimin e automjeteve.

Ndonëse pak muaj më parë në këtë rrugë u mbushën të gjitha gropat e hapura në karrexhatë me asfalt, ato po rishfaqen duke rikthyer edhe njëherë problematikën e rëndë të këtij aksi nacional shumë të rëndësishëm jo vetëm për Qarkun Dibër, por edhe për Maqedoninë e Veriut.

Të kontaktuar nga Mat Televizion, përfaqësues të firmës thanë se rehabilitimi i plotë ka kosto të lartë dhe se nuk është parashikuar me buxhetin e mirëmbajtjes rutinë. Ata u shprehën se vetëm me një fond të veçantë si për segmenti Burrel – Klos, kjo rrugë mund t’i nënshtrohet një rikonstruksioni total.