Prej 5 vitesh ndriçimi në urën e Matit nuk ka funksionuar për asnjë moment. Këtë e konfirmon edhe vetë Autoriteti rrugor shqiptar në një përgjigje kërkese për infomarcion drejtuar nga Mat Televizion.
ARRSH thotë se ky sistem ndriçimi ka kushtuar rreth 3.5 milion lekë të vjetra dhe se për ta bërë funksional duhet një tjetër investim.
“Në bazë të verifikimit rezulton se Sistemi i ndriçimit në Urën e Lumit Mat, me vendodhje në segmentin rrugor “Kryqëzim unaza dalje Burrel – Qendër Qyteti Klos”/ në dalje të qytetit të Burrelit, nuk ka qenë funksional që nga fillimi i shërbimit të mirëmbajtjes së rrugës, dhe nuk është pjesë e shërbimit të mirembajtjes referuar kontratës së mirëmbajtjes. Vënia në funksion e sistemit të ndriçimit do të kërkonte punime të reja rehabilitimi dhe fonde shtesë, të cilat aktualisht nuk mund të mbulohen nga kontrata e mirëmbajtjes.
- “Punimet e kontratës ” Ndertim Ura e Matit” Nr.4227/5 datë 22.10.2012 janë kolauduar me datë 31.08.2016. Sistemi elektrik i objektit në momentin e kolaudimit ka qenë në funksion. Punimet elektrike të realizuara dhe të situacionuara kanë vlerën 355 616 lekë të rinj” – thuhet në përgjigjen e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Duke qenë se objekti “Ura mbi lumin Mat” është në inventar të Autoritetit Rrugor Shqiptar, edhe sistemi i ndriçimit është i po këtij institucioni, ndërkohë që ARRSH ka anashkaluar pyetjen mbi përgjegjësinë e mosfunksionimit asnjëherë të këtij sistemi ndriçimi.