Aksi rrugor Shoshaj – Lapidari Zenisht tashmë është në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pas kërkesave të vazhdueshme të Bashkisë së Matit, me vendimin e Këshillit të Ministrave numër 600 datë 13.10.2021 ky segment rrugor i ka kaluar ARRSH.

  Pas botimit në fletoren zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kontraktuar një subject për mirëmbajtje dimërore të kësaj rruge. Firma ka bërë të mundur pastrimin e kanaleve kulluese anësore, të cilat ishin bërë shkak për daljen e dherave në asfalt dhe dëmtimin e tij. Ndërkohë, të kontaktuar nga ana jonë, përfaqësues të subjektit kontraktor thanë se kontrata provizore e mirëmbajtjes dimërore përfshin pastrimin e kanaleve, mbushjen e gropave me zhavor dhe pastrimin e dëborës në ditë kur ka reshje.

Ky segment rrugor i përfunduar afro 9 vite më parë, ishte lënë në mëshirë të fatit nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar pasi ky i fundit nuk e merrte në dorëzim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si pasojë e dëmtimit të rrugës pas rehabilitimit të plotë. Kjo përplasje institucionale ka nisur që në vitin 2015 me implementimin e reformës administrative-territoriale. Në këtë periudhë, shumë rrugë ishin në inventaret e këshillave të qarqeve, por një pjesë ju kaluan Bashkive e pjesa tjetër Autoritetit Rrugor Shqiptar.

ARRSH tashmë do të duhet të përgjigjet ligjërisht për mirëmbajtjen e këtij segmenti apo të financojë rehabilitimin e plotë të tij.