Një vit më parë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit gjatë një interpelance në parlament mbi fenomenin e procesionares deklaroi se qeveria është në bisedime me Turqinë për të siguruar një insekt që lufton krimbin e pishës në muajt e pranverës së vitit të kaluar. Por edhe pse u bënë një vit nga kjo deklaratë, nuk ka asgjë konkrete dhe se procesionarja po bën kërdinë në pyjet halore me pishë. Ky është masivi me pisha në fshatin Kurdari të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit. Siç duket edhe nga pamjet të gjithë drurët halorë janë të infektuar, madje kanë shumë boçe të bardha që brenda tyre mbajnë dhjetra krimba. Por në këtë periudhë kur dhe temperaturat janë ndjeshëm të larta procesionarja është “arratisur”. Gjatë një vëzhgimi të bërë me kameran tonë, duket qartë që ajo është larguar nga foleja ku dhe kaloi muajt e dimrit e u zhvillua nga larvë deri në këtë formë procesionarja në tokë Në muajt Mars e Prill procesionarja zbret me këtë formë nga pisha dhe futet në tokë. Ajo qëndron në brendësi të tokës deri në muajin Korrik duke u kthyer në krimb. Në Korrik e Gusht ajo del nga toka dhe merr formën e fluturës. Në këtë mënyrë procesionarja e ka më të lehtë ngjitjen në majat e degëve të pishës dhe lëshon vezët. Flutura ngordh, ndërsa larvat kthehen sërisht në formën e krimbit me fije. Deri në muajin Tetor, procesionarja end me fije strehën dimërore e gjatë kësaj kohe ushqehet me gjethet e pishës. Në këtë formë ajo qëndron aty deri në muajin Mars, kur dhe rinis ciklin nga fillimi. Procesionarja është jo vetëm një dëmtues i rrezikshëm i pishës, por zbulimet kanë treguar se është i dëmshëm edhe nëse preken nga njeriu.