“Brenda 6 muajve do të miratojë statusin e minatorit” Ky qe premtimi që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha  bëri në Bulqizë duke sulmuar kryeministrin se “ai që i la minatorët në galeritë e nëntokës pa mbështetje, nuk do ndryshojë edhe 40 vjet po t’i japësh”.“Brenda 6 muajve të parë, në dialog të plotë me përfaqësuesit dhe sindikatat tuaja, statusi i minatorit do të jetë realitet. Jam i vetëdijshëm për peshën e këtij premtimi, prandaj do të them që atë traun e rrugës së kombit që do ta heq që ditën e parë, ta vendosni në këtë rrugë nëse nuk e mbaj zotimin tim.

Por ky premtim tingëllon i pabesueshëm për aktivistin e Organizatës politike Arlind Qorri, i cili në Bulqizë po mbështet kandidatin e pavarur Elton Debreshi. “Sot Lulzim Basha premtoi në Bulqizë miratimin e Statusit të Minatorit. PD ka qenë në pushtet për 13 vjet dhe nuk u është përgjigjur asnjëherë kërkesave të minatorëve…. Lulzim Basha është mashtrues. Së bashku me Edi Ramën, Erion Veliajn, Sali Berishën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, atij i dridhen gjunjët nga fitorja e Elton Debreshit” shkroi ai.