Ndonëse teknologjia ka përparuar, tradita e kultivimit të duhanit për nevojat familjare ende vazhdon. Por ndonëse të rinjtë kanë tendencën të pijnë duhan të paketuar apo të dalë nga fabrika, ka nga ata të moshuar që vijojnë ta kultivojnë vetë duhanin. I tillë është edhe Arif Kadiu nga fshati Rripë në Njësinë Gurrë në Bashkinë Klos.
Arifi na tregon se prej dekadash ai e ka kultivuar vetë duhanin që pin, jo vetëm për shkak se ka kosto më të lirë për të, por edhe sepse sipas tij është më i mirë se duhani i paketuar. Ai ka mbjellë disa rrënjë nga të cilat thotë se jo vetëm do të nxjerrë duhanin që atij i duhet brenda një viti, por edhe do të shesë prej tij. Arifi na tregon edhe proceset që i duhen duhanit deri në vjelje.
Tashmë kanë mbetur shumë pak persona të cilët e kultivojnë vetë duhanin, pasi pjesa më e madhe e blejnë të paketuar, ndonëse ka kosto më të lartë.