Për shkak të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë që u luajtën këtë mesjavë, ndeshjet e javës së 8 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll janë zhvendosur të dielën dhe të hënën. Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të luajë ditën e hënë në transfertë kundër ekipit të Apolonisë së Fierit. Në të njëjtën orën me këtë ndeshje do të luhet edhe takimi tjetër mes Flamurtarit dhe Pogradecit.
Ndërkohë, takimet e tjera si Vora – Lushnja, Kukësi – Kastrioti, Valbona – Korabi dhe Erzeni – Besa do të luhen të gjitha ditën e dielë.
Kategoria e parë vijon të kryesohet nga Besa e Kavajës me 19 pikë në total, ndërsa tabelën e mbyll Erzeni i Shijakut me vetëm 1 pikë në 8 ndeshje të luajtura.
Skudra matjane e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj synon ngjitjen në tabelë për shkak të favorizimit që i jep kalendari me ekipe që nuk kanë rezultate të mira deri tani siç është ai i Apolonisë së Fierit që ka mbledhur vetëm 5 pikë.
Gjithsesi ndeshja mes këtyre skuadrave pritet të jetë e vështirë pasi vendësit do të kërkojnë detyrimisht pikët maksimale për shkak të pozicionit aktual në tabelë.