Zyrat e Aplikimit për dokumentet biometrike vijojnë të përballen me një fluks të madh e të papërballueshëm nga punonjësit e ALEAT. Në zyrën e aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti në Burrel, ka radhë çdo ditë, duke bërë që qytetar të moshave të ndryshme tën presin me orë të tëra, madje që pa u hapur zyra në orën 8:00. Qytetarët fajësojnë kompaninë e cila duhet të shtojë punonjësit pasi pritet që fluksi të shtohet më shumë edhe në vazhdim.
E njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Klosit. Para zyrës së aplikimit për dokumentët biometrikë rrijnë me dhjetra qytetar. Edhe në këtë zyrë vijon të shërbejë vetëm një punonjës, duke e bërë fluksin të papërballueshëm.
Edhe pse mësohet se do të shtohej një specialist i dytë, ende nuk ka shkuar. Fluksi i lartë i aplikimeve për pasaportë dhe kartë identiteti vjen në një kohë kur rreth 1.5 milion qytetarëve shqiptar iu kanë skaduar. Edhe pse afati për aplikimin e kësaj kategorie u shty deri në fund të vitit, qytetarët vijojnë tju drejtohen zyrave të kompanisë që ofron këtë shërbim.