Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje. Gjatë ceremonisë së zhvilluar me personalitete të artit, kulturës dhe traditave të Krujës, Meta theksoi se qytetarët duhet të votojnë kandidatët që ata mendojnë se do t’i japin zgjidhje problemeve të tyre.
Pandemia nuk mund ta pengojë gjatë pranverën turistike dhe jetën ekonomike kulturore të krutanëve dhe të shqiptarëve! Njëkohësisht, në këto ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ju ftoj të gjithëve, që sipas bindjeve tuaja të merrni pjesë aktive, të mos lejoni cenimin e të drejtës suaj nga askush për të votuar të lirë dhe me dinjitet! Të zgjidhni me ndërgjegje bijtë dhe bijat tuaja më të mirë! Të votoni ata kandidatë, që ju mendoni se do t’ju japin zgjidhjet më të mira për hallet tuaja dhe që ta bëjnë Krujën një vend edhe më të dashur për të jetuar për ju, për të rinjtë, edhe për fëmijët tuaj, por edhe një vend më të vizituar nga të gjithë shqiptarët dhe nga turistët në të ardhmen!