Bujqësia në vendin tonë po përballet me probleme të shumta ndërsa fermerët e vënë theksin tek cilësia e farërave. Fermerët e Gjoricës në Bulqizë thonë se këtë vit nuk kanë marrë prodhimin e duhur në të mbjellat e tyre. Ata shprehen se përveç misrit, këtë vit ka patur mungesë prodhimi edhe tek fasulja. Neki Markja shprehet se nuk i ka ndodhur kurrë që në tre dynym të mbjellë me fasule të marrë vetëm 15 kilogram. Të njëjtin problem ka patur edhe me misrin ku cilësia e farës ka qenë shumë e dobët e për pasojë nuk ka marrë prodhim. Ai shton se nuk po e kuptojnë arsyen se përse prodhimet bujqësore po vijnë në rënie nga viti në vit.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe fermeri Tush Cami ku sipas tij nuk ka asnjë siguri për farërat që blejnë në vendin tonë, pasi nuk ushtrohet kontroll nga institucionet shtetërore. Fermeri Cami thotë se askush nuk mban përgjegjësi për cilësinë e keqe të farës së misrit.
Fermerët e Gjoricës në Bulqizë kërkojnë që institucionet shtetërore të ushtrojnë kontrolle për cilësinë e farërave që janë në treg, pasi çdo vit po dëmtohen ekonomikisht si pasojë e cilësisë së dobët të tyre.