Nisur nga ankesat e shumta të banorëve të Qarkut Dibër, për vonesën e rifillimit të punimeve në rrugën nacionale Burrel – Klos, Drejtoresha e Autoritetit rrugor Shqiptar, Sonila Qato e shoqëruar nga deputetja e Qarkut Dibër, Almira Xhembulla dhe Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha, ishte këtë të Mërkurë në kantier, ku pa nga afër rifillimin e punimeve. Qato tha se pengesë ndaj firmës është moti i papërshtatshëm për zhvillimin e volumeve të ndryshmeve të punimeve. Por sipas saj, tashmë ka marrë garancinë e firmës, që në vazhdim puna do të vijojë intensivisht për ta mbyllur si investim deri në fund të muajit Korrik.
Drejtori i Projekteve Mirëmbajtëse, Mihal Cico tha se tashmë firma do të punojë me katër grupe pune, për të bërë të mundur mbylljen e punimeve të asfaltit para muajit Korrik, ndërsa më pas do të vijohet me veprat e artit si dhe sinjalistikën horizontale e vertikale.
Deputetja e Qarkut Dibër, Almira Xhembulla tha se me përfundimin e këtij projekti, të katër bashkitë e Qarkut Dibër do të kenë më shumë frymëmarrje në aspektin e Qarkullimit të mjeteve, pasi ky ka qenë segmenti më problematik i gjithë aksit nacional Skuraj – Peshkopi.
Punimet e nisura në këtë segment rrugor në muajin Tetor 2018 me objekt “Rehabilitimi i Segmentit rrugor Burrel- Klos”, (pjesë e segmentit Skuraj- Peshkopi) me gjatësi 18.6 km, me vlerë 3.7 milion euro janë pjesë e parashikimeve në kuadër të implementimit të Projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë në bashkepunim me Bankën Botërore.