Presidenti i Dinamos, Marko Pontreli ka mbajtur dy qëndrime publike gjatë orëve të fundit pas largimit të Morieros dhe Fabricio Mikolit nga stoli i Dinamos. Në pamje të parë deklaratat e tij janë shpresëdhënëse dhe se ai nuk do të heqë dorë kurrë nga projekti që ka nisur. Deri këtu, gjithçka duket e pranueshme, sepse në fund të fundit, një klubi rëndësishëm si Dinamo dhe presidenti i saj kanë për detyrë që të evitojnë panikun në skuadër dhe në publik.

Ajo që nuk kuptohet është se përse presidenti i klubit nuk jep asnjë shpjegim se pse ikën trajneri dhe zv.trajneri?! As nuk i përmend fare… Është hera e dytë që ikën trajneri në harkun e dy muajve, pasi Kamarata i braktisi për të drejtuar Apoloninë. Çfarë ndodhi me dy emra të mëdhenj si Moriero dhe Mikoli? A kishin kontratë ata që të vazhdonin deri në fund? Kush mban përgjegjësi për këto goditje që merr klubi publikisht? A është serioze që 18 herë kampionët e Shqipërisë të mos japin asnjë shpjegim serioz për largimin e dyshes së stolit?…

Ka shumë pyetje që sot me të drejtë, jo vetëm tifozët e Dinamos, por edhe më gjerë të pyesin se çfarë po ndodh në një klub ku u duk se u ringjall shpresa për t’u rikthyer në elitë dhe tani përballet me situata absurde. Prandaj, Pontreli dhe klubi i Dinamos duhet të jenë më seriozë ndaj opinionit publik dhe të sqarojnë minimalisht se përse sot janë pa trajner. Fjali të tipit “Forca Dinamo dhe Rroftë Shqipëria”, janë shumë folklorike dhe nuk kanë asnjë lidhje me situatën ku ndodhet klubi. Për të qenë tifoz futbolli vërtetë nuk duhet inteligjencë e jashtëzakonshme, por as nuk mund t’iu fyejmë inteligjencën atyre që jetojnë me pasionin për këtë sport.