Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka postuar sot foto nga guidat turistike vendore të cilët shoqërojnë turistët në majën më të lartë të malit të Korabit, duke promovuar bukurinë natyrore të zonës.

“Guidat turistike vendore shqiptare pozojnë me turistë në majën më të lartë të malit Korabi. Këto guida turistike ishin pjesë e projektit të USAID, “Dibër: Shtigje dhe Traditë”, i cili trajnon dhe certifikon guida lokale për të promovuar turizmin dhe për të krijuar vende pune në Dibër”, shprehet ambasada.

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, USAID/Albania ka ndihmuar Shqipërinë në ruajtjen e bukurisë së saj natyrore nëpërmjet projekteve të tilla. Ndihma në Dibër, për shembull, promovoi turizmin lokal dhe mbështeti restaurimin e ekosistemit duke përmirësuar shtigjet e ngjitjeve në mal. Në partneritet, ne ecim përpara”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Parku Kombëtar i Korabit mbetet një nga destinacionet e preferuara të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj pasi ofron një peizazh të mrekullueshëm dhe vende mjaft interesante për t’u zbuluar dhe shijuar në çdo stinë.

Prej muajsh edhe pse në izolim nga pandemia, Korabi ka pritur vizitorë, grupe ekspeditash dhe adhurues të pyjeve të egra dhe lartësive të mëdha.

Bukuritë natyrore janë të papërshkrueshme, pllaja të gjelbra, maja të thepisura që ngjiten e zbresin sikur male vallëzojnë me qiellin, kudra që zbuten ngadalë drejtë ultësirës së Drinit që gjarpëron mesa mes luginave në një vijë pa mbarim deri në det.