Këshilli i Bashkisë së Klosit ka vijuar me vlerësimin e figurave të zonës, duke i nderuar ata me titullin “Qytetar Nderi” të Bashkisë Klos. Dekorimi më i fundit ishte për antikomunistin Ali Kadiu. Këtë të Martë u zhvillua ceremonia e dorëzimit të këtij titulli, pasardhësve të Ali Kadiut. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të bashkisë Klos, Këshilli Bashkiak, bashkëkohës të Aliut si dhe familjarë të tij. Fjalën e hapjes e mbajti antari i Këshillit të Bashkisë Klos, Flamur Bala.

Ishte Kryetarja e Këshillit të Bashkisë Klos, Zana Elezi ajo e cila lexoi vendimin unanim të marrë në mbledhjen e këtij organi qeverisës vendor. E më pas iu dorëzua titulli, djalit të Aliut, Sami Kadiut, i cili falenderoi të gjithë ata që vlerësuan figurën e babait të tij dhe veprën qëndrestare kundër regjimit komunist.

Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa, në fjalën e tij përshëndetëse tha se bashkia dhe këshilli bashkiak janë munduar t’i vlerësojnë figurat e zonës, të cilët kanë një kontribut të çmuar në shoqëri.