Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ai është takuar me kryeministrin Rama në selinë e qeverisë shqiptare, ndërsa më pas ka planifikuar një takim me presidentin e FSHF, Armand Duka.

Ceferin mbërriti në Kryeministri pikërisht me makinën e Dukës, por ky i fundit nuk ishte i pranishëm në takim. Diskutimet pritet të lidhen me tensionin e krijuar përpara Asamblesë Zgjedhore për kreun e Federatës së Futbollit si dhe organizimit të finales së Conference League në Tiranë, në datën 25 maj.

Pikërisht në lidhje me zgjedhjet, ekziston një mundësi shumë reale që ato të shtyhen për tej datës 2 mars, kur janë planifikuar të mbahen. Praktikisht në të gjitha asambletë e shoqërive rajonale të futbollit  ka pasur kontestime për zgjedhjen e delegatëve, të cilët i kanë ankimuar në prokurori dhe për këtë arsye zgjedhjet për kreun e FSHF mund të shtyhen. Afati maksimal është deri në qershor, kur edhe përfundon mandati i presidentit Duka.