Më 26 Shtator, në kuadër të Ditës Europiane të Gjuhëve, Gjimnazi “Pjetër Budi”, Burrel, organizoi një aktivitet sensibilizues për rëndësinë e mësimit të gjuhëve të huaja. Aktiviteti u zhvillua nën udhëheqjen e mësueses së gjuhës angleze, Linela Saliaj, dhe nën kujdesin e personelit mësimdhënës si dhe Drejtorisë së shkollës.

Ky aktivitet pasqyroi përpjekjet e Këshillit të Europës, i cili përfaqëson 46 vende anëtare me një popullsi prej rreth 700 milionë banorësh, për të inkurajuar mësimin e gjuhëve të huaja në të gjitha moshat, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës.

Nxënësit pjesëmarrës kishin përgatitur poestera dhe punime artistike krijuese në gjuhë të ndryshme europiane, si dhe performuan në role të ndryshme duke sjellë në vëmendje jo vetëm larminë e gjuhëve europiane por edhe kulturën që këto vende përfaqësojnë.

Mësuesja Linela Saliaj theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, duke u shprehur se “diversiteti gjuhësor është një mjet i fuqishëm për të arritur mirëkuptim ndërkulturor dhe për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore të Europës.

Përveç gjimnazit “Pjetër Budi”, aktivitetet kushtuar Ditës Europiane të Gjuhëve u zhvilluan edhe në shkolla të tjera nën juridiksionin e Zyrës Vendore Arsimore Mat, e cila i ka pasqyruar ato në faqen e saj elektronike.