Shoqata HTK-Histori, Traditë e Kulture, organizoi më 27 janar në Tiranë prezantimin e tre librave të historianit, arkeologut dhe etnologut Dilaver Kurti, me tituj: “Trashëgime iliro-arbërore”; “Shënime etnografike nëpër Mat” dhe “Folklor nga Mati”. Aktiviteti promovues u mbajt në sallën “Consortium” të Hotel Tirana “International”, nën moderimin e gazetarit të mirënjohur Dëfrim Met’hasani. Mes familjarëve, shokëve e miqve të Dilaver Kurtit të ftuar në këtë aktivitet ishte dhe n/kryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli, prefekti i qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, ish-kryebashkiakja e Burrelit Adelina Farrici, historianë, përfaqësues të klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat, intelektualë të spikatur, etj. 

Fillimisht për të pranishmit u shfaq dokumentari filmik “Dilaver Kurti, ikonë e kulturës kombëtare” me skenar dhe regji nga Halil Rama, “Mjeshtër i Madh”.

Më pas vendi iu la trajtesave për veprën e pashoqe të Dilaver Kurtit duke kujtuar me këtë rast jetën e tij, 26 vite pasi është ndarë nga jeta, ku referuan personalitete të tilla si; shkrimtar e studiues: Behar Gjoka, dr. Jolanda Lila, “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, etj. 

Mes të tjerave oratorët thanë se Dilaver Kurti është vlerësuar e do të vlerësohet si mbledhës i folklorit të Matit dhe i objekteve etnografike. Ai punoi për ngritjen e bibliotekës së parë në Mat më 1967, dhe më pas për hapjen e një muzeu të qytetit. Në vijim Dilaver Kurti ndoqi gërmimet arkeologjike në kodërvarreza tumulare dhe varreza shpellore. Materialet e tij kërkimore janë botuar në organet e Institutit të Arkeologjisë dhe të atij të Monumenteve. Emra të njohur si Selim Islami, Frano Prendi apo Muzafer Korkuti kanë vlerësuar kërkimet e Dilaver Kurtit dhe kontributin e tij për zbulimin e kulturës ilire të Matit. Por edhe njerëz të fushës së studimeve, arkeologë, etnologë, shkrimtarë e poetë, pas vdekjes së tij kanë shprehur vlerësime dhe konsiderata për studimet e Dilaver Kurtit, i cili pothujse 35 vjet nga jeta e tij ia kushtoi punës për evidencimin e vlerave historike e kulturore të trevës së Matit.