Aktivitet festiv për 7 Marsin nga shkolla “T. Hoxha” dhe ZVA Klos
Me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit shkolla 9-vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos dhe Zyra Vendore Arsimore Klos organizuan një aktivitet festiv të përbashkët. Të pranishëm drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Klos, Teuta Karaj, N/kryetarja e Bashkisë Klos Adelina Laçi.
Drejtori i shkollës Fatmir Neli duke përshëndetur në këtë aktivitet festiv mësues, prindër e nxënës, u uroi atyre gëzuar festën e Mësuesit dhe të Nënës, dhe më pas në emër të Bordit të shkollës shpërndau një set me dhurata për dy nxënëset Aleksandra Gjonaj dhe Regina Dardha, të cilat në Janar u shpallën fituese të konkursit zonal “Stop dhunës ndaj gruas”. Më pas në emër të drejtorisë së shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos, u nderua me rastin e 7 marsit me Certifikatë Mirënjohjeje mësuese Hatije Çela, për kontributin maksimal të dhënë në edukimin e brezave të rinj.
Ndërsa Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Klos, Teuta Karaj, pasi u uroi 7 dhe 8 Marsin të pranishmëve, në emër të institucionit që përfaqëson vlerësoi me Certifikata dhe dhurata simbolike një sërë mësuesësh që kanë dalë rishtazi në pension nga institucionet arsimore të bashkisë Klos.
Një përshëndetje e veçantë erdhi në këtë aktivitet festiv dhe nga Zv/kryetarja e bashkisë Klos Adelina Laçi.
Më pas aktiviteti vijoi me këngë, valle e recitime dedikuar dy qenieve më humane për fëmijët, Nënës dhe Mësuesit, nga grupi artistik i shkollës “Tahir Hoxha”, Klos, i përgatitur nga mësuesi i Muzikës, Ilmi Barjoti.