Rreth orës 11:30 të paradites së të premtes, një aksident rrugor ka ndodhur në bypass-in e Rrugës së Arbrit, në kufirin midis Bashkisë Tiranë dhe asaj Klos. Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një furgon mallrash dhe një autoveturë. Furgoni i mallrave kishte në të tre persona, ndërsa në autoveturë ndodhej vetëm drejtuesi i saj. Nga përplasja e fortë, të dyja mjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Për fat të mirë, nuk raportohet për të lënduar rëndë, por vetëm për disa dëmtime të lehta fizike. Megjithatë, aksidenti ka shkaktuar trafik të rënduar, duke krijuar një bllokim të gjatë deri në një kilometër në të dyja drejtimet e rrugës. Trafiku u zhbllokua vetëm pasi forcat e policisë nga Tirana mbërritën në vendngjarje dhe filluan hetimet për shkaqet e aksidentit.
Kjo zonë e bypass-it të Rrugës së Arbrit njihet për historikun e aksidenteve të shpeshta, për shkak të rrugës së ngushtë dhe me kthesa të shumta e të mprehta. Ndër faktorët që ndikojnë në rrezikshmërinë e kësaj rruge përfshihen edhe kushtet atmosferike, si temperaturat e larta, të cilat shpesh shkaktojnë mbinxehje të sistemit të frenimit të automjeteve. Këto probleme teknike e bëjnë edhe më të vështirë drejtimin dhe menaxhimin e automjeteve në bypass-in e Rrugës së Arbrit.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve, që kalojnë rregullisht në këtë rrugë, kanë ngritur shqetësime për mungesën e sigurisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për përmirësimin e kushteve tw qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, hetimet për aksidentin e sotëm po vazhdojnë dhe priten raportime të mëtejshme nga ana e policisë rrugore për të sqaruar shkaqet e tij dhe për të nxjerrë përgjegjësit përkatës.