Një aksident me pasoja vetëm në dëme materiale u regjistrua pasditen e sotme në aksin që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës.

N jë automjet tip furgon u përplas me një mjet tip fuoristradë në urën e vjetër të qytetit.

Përplasja e automjeteve është bërë kokë më kokë, por fatmirësisht asnjëri nga drejtuesit e mjeteve nukka pësuar dëmtime të mëdha.

Policia e Bulqizës mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit si dhe për të gjetur shkaktarin e tij. Megjithatë, aksi mes dy lagjeve të Bulqizës ka qenë vazhdimisht burim aksidentesh të ndryshme. Për shkak se rruga është e drejtë, shumë automjete lëvizin me shpejtësi të lartë ku jo pak herë kanë rrezikuar edhe këmbësorët që ecin në trotuar.

Në kryqëzimin ku ndodhi aksidenti i sotëm ka mungesë edhe të sinjalistikës vertikale dhe të përparësisë së qarkullimit të automjeteve apo vijave të bardha për këmbësorët. Qytetarët e Bulqizës vazhdimisht kanë kërkuar më shumë siguri në këtë rrugë.

Dritan Kurti