Banorët e Qarkut Dibër po presin me padurim që me datë 29 Nëntor të hapet qarkullimi në rrugën e Arbrit nga fshati Fshat deri në Tiranë. Por ky lajm nuk është pritur mirë nga banorët e fshatit Plan i Bardhë të cilët duhet të udhëtojnë nga rruga e vjetër për të shkuar në fshatin Fshat. Avdi Kuka thotë se prej më shumë se 1 dekade nuk është punuar në segmentin e rrugës së Arbrit nga Ura e Vashës deri në Qafën e Buallit. Ai shprehet se ky segment, nuk do të jetë funksional me datë 29 Nëntor, pasi nuk është gati dhe se nuk mund të bëhet për një kohë kaq të shkurtër. Kuka shton se me interes për banorët e planit të Bardhë është që edhe ky lot i rrugës së Arbrit të asfaltohet dhe të bëhet lidhja me fshatin Fshat.

  Jo vetëm që ky segment rrugor nuk është bërë funksional për qarkullimin e automjeteve, në afërsi të Qafës së Buallit ai është kthyer në një pikë të depozitimit të inerteve. Tonelata mbetje inerte janë hedhur e vazhdojnë të hidhen këtu nga subjekte apo banorë të Bulqizës të cilët kryejnë punime në ndërtim të objekteve të ndryshme.