Bashkia e Matit është pjesë e projektit “Një vizitë larg nga karriera juaj e ardhshme” që po zbatohet në vendin tonë nga organizata “Albanian Skills”. Nëpërmjet këtij projekti do të hapet pranë bashkisë Mat zyra e “Akademisë së karrierës” e cila do të ofrojë një sërë shërbimesh për informimin, orientimin dhe zhvillimin e karrierës për të rinjtë punëkërkues. Academia do të përfshijë një seri modulesh trajnimi për zhvillimin e aftësive dhe mundësive për punësim dhe vetëpunësim, sipërmarrje, biznes social dhe zhvillim komunitar. Zëvendëskryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli tha se bashkia do të jetë mbështetëse dhe promotore e projekteve të tilla me focus rininë.
Drejtoresha Ekzekutive e organizatës “Albanian Skills” Ana Zacharian tha se nëpërmjet këtyre trajnimeve dhe hapjes së zyrës së Akademisë së karrierës, të rinjtë e Matit do të marrin orientimin e duhur për punësim, vetëpunësim apo biznes.
Për tre ditë me radhë të rinjtë e Matit mund të bëhen pjesë e trajnimeve pranë Pallatit të Kulturës Burrel.