Agron Malaj: Reforma Administrative 2.0 nuk e dëmton Klosin, por e forcon
Deputeti i qarkut Dibër, Agron Malaj, ka reaguar lidhur me debatin për Reformën Administrative Territoriale 2.0, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet se Klosi do të dëmtohet nga ky proces. Ai thekson se reforma synon forcimin e njësive vendore dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillim, ndërsa akuzon Partinë Demokratike se po përhap frikë dhe po e politizon këtë çështje.
REAGIMI I PLOTË I DEPUTETIT MALAJ
Prej disa ditësh po dëgjoj disa zëra që përpiqen të mbjellin frikë te qytetarët e Klosit, sikur Reforma Administrative Territoriale 2.0 do t’u marrë diçka. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kjo reformë nuk e penalizon Klosin. Askush nuk po i heq identitetin Klosit, askush nuk po e zhduk qytetin dhe askush nuk po lë njerëz pa punë. Përkundrazi, Klosi do të vazhdojë të jetë qytet, do të ruajë funksionet që ka sot dhe do të përfitojë më shumë mundësi zhvillimi. Dua të jem i qartë edhe për një gjë tjetër. Administrata nuk ka pse të shqetësohet. Askush nuk do të mbetet pa punë. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë. A fiton Klosi nga një bashki më e fortë? Unë besoj se po. Një bashki më e madhe do të ketë më shumë peshë për të tërhequr investime, më shumë kapacitete financiare, më shumë mundësi për projekte të mëdha infrastrukturore dhe një planifikim më të mirë për zhvillimin e gjithë territorit. Kjo përkthehet në më shumë mundësi për biznesin, për fermerët, për turizmin dhe për të rinjtë. Fatkeqësisht, Partia Demokratike po përpiqet ta shndërrojë këtë debat në një betejë politike. Po nxit protesta dhe po përhap frikë, sepse nuk ka argumente për të kundërshtuar përfitimet që sjell reforma. Klosi nuk është një ishull. Klosi dhe Burreli kanë qenë gjithmonë pjesë e së njëjtës trevë, të lidhur nga historia, ekonomia, familjet dhe tradita. Kjo reformë nuk i ndan, por i forcon. Prandaj nuk ka vend për frikë dhe as për manipulim. Ka vend vetëm për një debat të ndershëm, me fakte dhe me vizion për të ardhmen. Sepse ne kemi detyrimin të marrim vendime që i shërbejnë trevës së Matit, jo interesave politike të ditës apo interesave personale të ndokujt.