Prej afro dy muajsh nuk ka ende një fitues për mirëmbajtjen e rrugës nacionale Shoshaj – Rrëshen, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar një fond prej afro 1.66 milion euro. Tenderi për mirëmbajtjen katër vjeçare të kësaj rruge është hapur për vlerësim ofertash që me datë 29 Korrik, por edhe pse kanë kaluar afro 2 muaj, nuk është shpallur fituesi.
Burime për “Mat Televizion” thanë se shkak është bërë kundërshtimi i kompanisë fituese nga një tjetër kompani që ka qenë në garë. Kjo do të kalojë në disa hallka për të zgjedhur përfundimisht fituesin ose tenderi do të përsëritet.
Ky ngërç procedurial ka mbajtur peng mirëmbajtjen e rrugës nacionale Shoshaj – Rrëshen, por jo vetëm kaq. Një tjetër tender ishte bërë për segmentin Lapidari Zenisht – Rrëshen, ku dhe ishte shpallur fituesi, ndërsa ARRSH nuk e ka lidhur kontratën pasi është në pritje të mbylljes së procedurës për tenderin që përfshin tre akset, Ura e Matit – Rrëshen, Qaf Buall – Krastë dhe Ura e Ulzës – Ulëz, me gjatësi totale prej 48.8 kilometrash.
Nga ana tjetër, përdoruesit e rrugës Ura e Matit – Rrëshen vazhdojnë të ankohen për gjendjen e degraduar të këtij aksi me problematika të shumta në të.