Zyrat e Gjendjes Civile në të gjithë Njësitë Administrative të Bashkisë Mat kanë bërë afishimin e listave paraprake të zgjedhësve që kanë të drejtën si votues në zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit të këtij viti. Ligji e parashikon që listat e para të publikohen 6 muaj nga data e zgjedhjeve dhe në mënyrë periodike ato të riafishohen çdo fillim muaji.
Edhe Zyrat e Gjendjes Civile në Bashkinë e Matit kanë bërë afishimin e listave të votuesve që kanë të drejtën e zgjedhjes në garën parlamentare të 11 Majit 2025. Tashmë listat me emrat e secilit prej votuesve gjenden të afishuara në çdo zyrë të gjendjes civile në të gjitha njësitë administrative. Rifreskimi i listave çdo muaj do të bëhet me qëllim futjen në listë të atyre që mbushin moshën 18 vjeç dhe hiqen ata që ndërrojnë jetë.
Çdo qytetar mundet të verifikojë online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania dhe fizikisht pranë çdo mjedisi ku listat do të jenë të afishuara nga bashkitë përkatëse. Për çdo paqartësi ose problem që lidhet me listën zgjedhore, qytetarët mund të kontaktojnë me Zyrat e Gjendjes Civile përkatëse, ose të drejtohen në adresën zyrtare të Ministrisë së Brendshme ([email protected]) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.