Ekipi i Burrelit rrëmbeu të dielën kreun e grupit A falë tri pikëve të marra ndaj ekipit të Vorës. Matjanët kryesojnë me 22 pikë, dy më shumë se Dinamo e vendit të dytë. Por premisat e matjanëve janë që ta mbajnë kreun e grupit dhe të vazhdojnë shkëputjen. Për Administratorin e Klubit të Futbollit Burreli, Bajram Ballabani, tashmë objektivi është i mundur dhe se duhet vëmendje maksimale për çdo ndeshje. Pavarësisht problemeve të vogëla gjatë rrugës, Ballabani ka shumë besim tek stafi teknik dhe futbollistët që do tja dalin. Fitorja e së dielës 1 me 0 ndaj Vorës, nuk ishte bindëse e megjithatë, e rëndësishme është marrja e tri pikëve.
“Mendoj që jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivin. Mjafton që të marrim pikët maksimale në çdo takim dhe të vlerësojmë çdo ndeshje pavarësisht se kush është kundërshtari, mendoj që i kapacitetet e duhura për të kapur superligën. Për mua nuk ka shumë rëndësi me sa gola vjen fitorja, por pikët. Të marrim maksumumin në çdo ndeshje është me rëndësi të madhe. Vërtetë aktualisht kemi kreun e grupit, por kampionati është i gjatë. Unë kam besim që stafi teknik dhe lojtarët do të vazhdojnë të bëjnë më të mirën. Ne si Klub, por edhe bashkia i kemi mbështetur për çdo gjë, ndaj dhe shpresoj që bashkarisht ta bëjmë ëndërrën tonë realitet e Burrelin ta shohim në elitën e futbollit shqiptar. Ndeshja e radhës është një tjetër ndeshje e vështirë ndaj dhe trajneri Nikaj ka nisur seancat instensive stërvitore: – tha në prononcimin e tij, Ballabani.
Burreli do ta luajë ndeshjen e radhë në transfertë, ndaj Partizanit B.