Nga Fatjon Baze
Kryeministri Edi Rama, i dha sot një përgjigje të prerë, tre individëve nga futbolli shqiptar, të cilët kanë kërkuar që të përfshihen në paketën e ndihmës ekonomike të qeverisë shqiptare, për të përballuar situatën e krijuar nga virusi COVID-19.
Treshja që kërkon para nga qeveria, kryesohet nga presidenti i FSHF-së Armand Duka, i ndjekur nga miku i tij Ardjan Takaj, dhe nga Andi Lila, të cilit i ka besuar drejtimin e Sindikatës së Futbollistëve, duke e bërë “kryetar” dhe siç e ka e shprehur vetë, është gjithmonë pro vendimeve dhe nismave që merr FSHF-ja.
Normalisht, nëse në Shqipëri ne do të kishim një futboll që do të ishte brenda rregullave të “fair playt”, mund të pretendohej të kërkohej një ndihmë nga ana shtetit.
Po si mund tu japësh lekët e taksa paguesve shqiptar, presidentëve të futbollit këtu?
Në gjithë Europën, klubet janë mbledhur për të diskutuar opsionet më të mira për t’ia hedhur sa më lehtë kësaj situate.
Klubet spanjolle dhe italiane kanë vendosur të shkurtojë pagat e lojtarëve. E njëjta gjë, edhe me disa klube gjermane që kanë arritur marrëveshjet me futbollistët e tyre.
Shumë trajnerë dhe lojtarë kanë dhuruar milona euro, në ndihmë të sistemin shëndetsor, pasi primare në këto momente është fitimi i luftës me koronavirusin, pastaj futbolli.
Është çmenduri të krahasosh këto klube dhe pagat e atyre lojtarëve, me këtu tek ne.
Por, si ka mundësi që këtu nuk është zhvilluar qoftë edhe një mbledhje mes presidentit të FSHF-së, atyre të klubeve, dhe lojtarëve, për të diskutuar mes tyre për një zgjidhje të mundshme, por janë karantinuar nëpër vilat luksoze dhe hiqen sikur u vjen keq për futbollin dhe kanë gjetur rrugën e shkurtër për të kërkuar lekë nga shteti.
Përgjigja është e thjeshtë. Sepse këtu, Armand Duka që ankohet se FSHF-ja nuk ka buxhet të mjaftueshëm, vjen nga fakti se ai e ka kthyer atë Institucion në një biznes personal, ku më shumë është pasuruar vetë, se sa ka ndihmuar klubet dhe futbollistët.
Si mundet që lekët tona ti jepen Ardjan Takajt, që ka dhe ftyrë e bën ironi. Një njeri, i cili është presidenti simbol i trukimeve në Shqipëri dhe Europë, dhe jo nga ne, por nga UEFA.
A i besohet këtij presidenti se i dhimbsen vërtet lojtarët dhe futbolli, ndërkohë që nuk duhet të ishtë më pjesë e këtij sektori, për skandalet dhe imazhin e nxirë që i ka bërë Shqipërisë!
Pastaj, del dhe Andi Lila, që merakun më të madh ka se mos i shajnë “mbretin”, se sa t’i qëndrojë pranë futbollistëve.
Sepse se sa i dhimbsej “mbretit” të Lilës, shëndeti i lojtarëve, e vum re kur zgërdhihej në emision, teksa deklaronte se ne kemi kaluar shumë gripra dhe nuk na gjen gjë, ndaj duhej që futbolli të luhej. Lëre pastaj kur u sugjeronte klubeve se futbolli mund të luhej dhe pa kontakt, duke na bërë qesharak dhe në sytë e mediave europiane.
Edi Rama me të drejtë tha sot se
“Klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone”.
Ky është një fakt i rëndë dhe për shtetin që duhet ta hetojë këtë evazion fiskal, siç janë dhe sigurimet shoqërore që këtu shumicës së lojtarëve as që ju paguhet.
Dhe për këtë qeveria ka përgjegjsinë e saj, por faji më i madh është dhe i vetë futbollistëve të cilët e pranojnë këtë shkelje ligji duke mos e ngritur zërin për të drejtën e tyre, dhe tashmë ligji iu është kthyer në boumerang.
Ndaj, nëse këtyre u dhimbsen vërtet lojtarët, e kanë shumë të thjeshtë që të jua zgjidhin hallin për këto muaj.
Le të nxjerrin nga xhepi milionat që kanë fituar nga trukimet dhe abuzimet dhe ti ndihmojnë në këto muaj të vështirë. Kanë dhe shansin të kujtohen të paktën njëherë për një nismë të mirë. Shpëtojnë dhe Andi Lilën dhe e lënë të qetë në karantinë, që të mos “ankohet” më!
Se këtu, më këtë drejtues Federate, sporti ka qenë dhe do jetë gjithnjë i falimentuar. Shikoni, numrin e spektatoreve në stadiume që sa vjen e pakësohet, shikoni të ardhurat e klubeve, shikoni se ku ndodhen ekipet më me traditë, për ta kuptuar se si e ka shkatërruar futbollin.
Dhe kjo, nga ky presidentet, që ka 20 vjet që e fiton atë post veç me manipulime.