Destinacioni i radhës për promovimin e resurseve turistike në Mat është Shkopeti. Të gjithë jemi mësuar me pamjen që shohim gjatë rrugëtimit nëpër këtë luginë, por kjo luginë mbart edhe histori. Në malin e Shkopetit ndodhen rrënojat e një kalaje të cilën do tjua prezantojmë sot. Ngjitja për në majën e malit ku ndodhet kalaja nuk është aspak e lehtë, por pamja që të shoqëron është magjepsëse.

Nëse nuk ke një udhërrëfues që e din rrugën, ngjitja në majë është e mundimshme. E megjithatë ja vlen lodhja pasi ajo që gjen lart është vërtetë çlodhëse.

Të dhënat e pakta që janë për këtë kala, thuhet se i përket periudhës ilire që mbyllte grykën e Shkopetit, por aty ende nuk janë bërë studime të mirëfillta, vetëm disa kërkime individuale. Por Kalaja në fjalë mendohet të jetë përdorur edhe në kohën e Skënderbeut e cila bashkë me kalatë e tjera në Mat, përbënte kompleksin fortifikues kundër ushtrisë osmane. Banorët e zonës e etiketojnë këtë kala si kalaja e Kokë Malçit një burri të urtë që ka jetuar në kohën e Skënderbeut, i cili ishte pjesë e luftërave ndaj osmanëve.

Por përtej historisë pamja që ofrohet në këto maja është vërtetë fantastike dhe mbreslënëse.

Mat Televizion do të vijojë të promovojë vlerat turistike të Matit.