Drejtuesit e stafit teknik të Burrelit, e kanë patur disa të vështirë përzgjedhjen e lojtarëve që i nevojiten skuadrës për sezonin e ri 2021 – 2022, pasi në ditën e parë të grumbullimit kanë qenë jo pak por 67 sportist. Deri në fund të këtij muaji stafi teknik i drejtuar nga trajneri Saimir Patushi, do të formojë skuadrën që do të përfaqësojë Burrelin në sezonin e ri dhe muaji Gusht do të shfrytëzohet i gjithi për fazën përgaditore. Deri tani janë zyrtarizuar disa emra si Gjinollari, mesfushori Samet Hepaj, mbrojtësi Kejdi Dibra, mesfushori nga Brazili, Caio Da Silva, mbrojtësi nga brazili Luis Paulo Junior dhe shkodrani Altin Xhahysa. Trajneri Saimir Patushi tha se repartet që pritet të plotësohen janë ai i sulmit dhe porta. Për sulmin pritet të jetë një tjetër brazilian. “Është një punë intensive të cilën po e bëjmë me shumë kujdes. Deri në fund të muajit besoj që do të kemi skuadrën që do të garojë në kategorinë e parë në sezonin e ardhshëm. Çështë e vërteta ka patur një interesim të jashtëzakonshëm ku vetëm ditën e parë janë paraqitur 67 futbollist për tu testuar. Besoj që jemi në rrugën e duhur për të bërë ekipin të cilin e kemi thënë që në fillim, që të jetë i denjë për kategorinë që aderojmë por edhe t’i japim mundësinë lojtarëve vendës që vijnë nga moshat. Një panoramë më të qartë rreth kësaj merkatoje do ta kemi në vijim pasi të plotësojmë edhe portën e sulmin” – tha Patushi.