Luftë për mbijetesë mund të konsiderohet jeta që bën 63-vjeçari Osman Alia, nga Bulqiza. Çdo ditë në orën 6:00 të mëngjesit ai përshkron në këmbë rrugën nacionale nga Qafa e Buallit deri në afërsi të Klosit për të mbledhur kanoçe, që hidhen nga përdoruesit e kësaj rruge. Ditën tjetër bën të njëjtin ritual nga Bulqiza drej Peshkopisë, me synimin e vetëm sigurimin e bukës së gojës.
Kalvari i vuajtjeve të Osmanit nuk ka të sosur, pasi ai thotë se vuan nga diabeti i theksuar duke treguar gilpërat me insulinë që i bën vetë gjatë ecejakeve në rrugën nacionale, edhe pse në këto temperatura të larta. 63-vjeçari shprehet se detyrohet nga halli për të dalë për të mbledhur kanaçe, pavarsisht se ka punuar në një kohë të gjatë në minierën e Bulqizës dhe në koperativë bujqësore, por që akoma nuk merr asnjë lloj ndihme nga shteti, as pension, përveç një ndihme ekonomike prej 46 mijë lekë të vjetra në muaj.
Sikur të mos mjaftonin këto për 63-vjeçarin Osman Alia nga Bulqizë, ai rrëfen se edhe për bashkëshorten që e ka invalide pasi ka humbur njërën këmbë, nuk merr asnjë asistencë sociale, duke hedhur akuza të forta mbi Kemp-in e Tiranës.
“Mat Televizion” u bën thirrje instancave përgjegjëse shtetërore, bizneseve e shoqatave humanitare të ndihmojnë 63-vjeçarin Osman Alia për ta lehtësuar nga ky kalvar hallesh e vuajtjesh social-ekonomike.