Kreu i partisë demokratike Lulzim Basha ka akuzuar në menyrë të drejtpërdrejtë qeverinë Rama për përfshirje në grabitjen e ditës së djeshme.

“Ngjarja e Rinasit nuk është e vetmja, është pjesë e grabitjeve dhe zhdukjeve në të gjithë Shqipërinë. Grabitjet e armatosura në Rinas, grabitjet e bankave, postave, vrasjet e bankierëve, kanë nisur me ardhjen e Ramës në pushtet. Kjo është rënia e shtetit. U vodhën mbi 10 milionë euro në Aeroportin Ndërkombëtar në Rinas. Përgjegjës për këtë është shteti. Nëse nuk ka siguri, përgjegjës është shteti”, shtoi Basha.

Sipas Bashës, ngjarja mund të ishte parandaluar nëse do të zbatohej urdhri që vetë ministri ka dhënë, i cili thotë që policia të shoqërojë vlerat monetare, por edhe të garantohet nga policia e shtetit edhe shënimi i ngarkesave me para.

“Edi Rama ka shkelur Kushtetutën, duke emëruar Gjeneral Sandër Lleshajn, si kryetar të Këshillit të Aviacionit Civil. Nën drejtimin e Lleshajt, aeroporti i Rinasit është grabitur dy herë”, tha kreu i PD. “Kompania private e sigurimit, që merr 5 euro për çdo qytetar, figuron të jetë në bashkëpronësi të avokatit të Partisë Socialiste, Eno Bushi, i njohur edhe si avokati i Girgio Riformato-s, pilotit italian që u rrëzua me avionin plotë me drogë në vitin 2015. A janë akoma 10 milionë eurot e vjedhura në duart e bandës së shpartalluar. A janë shteti dhe organet e rendit, përgjegjëse për paaftësi, apo kemi të bëjmë me bashkëfajësi dhe madje bashkëorganizim të grabitjes? Shteti i Edi Ramës nuk është vetëm përgjegjës, por edhe i përfshirë në këtë vjedhje. Bashkëpunimi me krimin dhe zotësia për të sajuar skenarë të përbashkët është vërtetuar më shumë se një herë”.