60 ditë na ndajnë nga dita kur të gjithë shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në legjislacionin e ardhshëm parlamentar. Të gjitha partitë politike që do të garojnë në këto zgjedhje janë regjistruar fillimisht pranë KQZ. Ndërkohë një natë më parë janë doërëzuar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve koalicionet garuese për datën 25 Prill. Partia Demokratike do të garojë në këto zgjedhje bashkë me 12 parti të tjera. Ndërsa brenda datës 5 Mars duhet të dorëzojnë KQZ listat e kandidatëve. Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojë më vete, por në marrëveshjen me partinë më të madhe opozitare mësohet se në 3 qarqe do të kenë kandidat në listat e koalicionit opozitar të kryesuar nga Partia Demokratike, pavarësisht se do të kenë edhe listën e tyre të kandidatëve si subjekt garues më vete. Kështu, LSI do të ketë kandidatët e saj në Qarkun Gjirokastër, Kukës dhe Dibër. Ende nuk dihet se në cilin numër do të jetë kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në listën e Qarkut të Dibrës, pasi kjo mbetet për tu parë vetëm me datë 5 Mars, kur dhe është afati i fundit që të dorëzohen pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve. Nga ana tjetër, Partia Socialiste do të garojë e vetme në këto zgjedhje, duke synuar një mandate të tretë qeverisës.