Janë përkujtuar këtë të premte të rënët dëshmorë për liri e pavarësi në Mat. Në ceremoninë homazh të zhvilluar pranë varrezave të Dëshmorëve në qytetin e Burrelit veç drejtuesve vendorë të Bashkive Mat e Klos, Agron Malaj e Ilmi Hoxha, e pranishme ishte edhe deputetja Aurora Mara, nënprefekti i Matit Hasan Pasha, nxënës të shkollave të qytetit të Burrelit pasardhës e familjarë të veteranëve etj. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, Sefer Duka, i cili riktheu në memorie aktet heroike të të gjithë të rënëve në luftën për pavarësi e liri si dhe të atyre që dhanë jetën në detyra në shërbim të komunitetit.
Më pas sipas protokollit zyrtarë u bë vendosja e kurorave me lule pranë lapidarit të dëshmorëve si dhe homazhe tek varret e të rënëve në mbrojtje të atdheut gjatë luftërave për liri e pavarësi.
Në fund vizita homazh e zyrtarëve dhe familjarëve u zhvendos pranë bustit të dëshmorit “Shahin Toçi” ku vendosën kurora e buqeta me lule në nderim të veprës së tij heroike.Dritan Kurti