45 vite më parë në Mat do të hapej për herë të parë Qendra e Pionerit e cila sot njihet si Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat. pikërisht për këtë vit jubilar u zhvilluan një sërë aktivitetesh të cilat nisën në qendër e më pas u zhvendosën në Pallatin e Kulturës Burrel.
Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat, hapi dyert e saj për të gjithë qytetarët që në orën 11 të kësaj të Hëne në ekspozitën e fotografive të aktiviteteve pjesmarrëse në këto katër dekada e gjysmë. Pas shumë vitesh tashmë e gjithë godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, është kthyer në shërbim të qendrës duke zgjeruar hapsirat për zhvillimin e kurseve të ndryshme.
Ekspozita e kësaj të Hëne u vizitua nga dhjetra nxënës të shkollave të qytetit të Burrelit, drejtues të institucioneve vendore në Mat, Nënprefekti i Matit Hasan Pasha, Nënkryetari i Këshillit të Qarkut Dibër, Halit Palamani, nënkryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli etj.
Më pas, aktiviteti u zhvendos në Pallatin e Kulturës. Në kuadër të 45 vjetorit të themelimit të saj, Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat kishte organizuar një koncert me numra të ndryshëm artistik, të interpretuar nga fëmijët që frekuentojnë këtë qendrë.
Në fund të aktivitetit Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat, vlerësoi me çertifikata mirënjohjeje një sërë artistësh, mësuesish e drejtuesish të saj në 4 dekada e gjysmë ekzistencë.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, Anduena Sefgjini tha se aktivitetet në nder të 45 vjetorit të krijimit të qendrës do të vijojnë deri në fund të vitit 2019.