Ashtu si dy vitet e kaluara edhe këtë vit në periudhën e shtimit të peshkut në liqenin e Ulzës janë hedhur 40 mijë copë rasat peshku të llojit Krap e Ballgjan. Bashkia Mat në bashkëpunim me kompaninë Kurum që menaxhon dy hidrocentralet kanë bërë që gjatë këtyre tre viteve në liqenet Ulëz e Shkopet të hidhen më shumë se 300 mijë copë rasat peshku, duke mundësuar shtimin e tyre në këtë liqen. Të pranishëm në hedhjen e sasisë së kësaj të hëne ishin përfaqësues të Bashkisë së Matit dhe kompanisë Kurum. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Mat, Ervin Hysa tha se e rëndësishme është që banorët që gjuetia të bëhet vetëm në kohën e lejuar dhe brenda rregullave të përcaktuara. Ndërkohë vetë Drejtori i dy hidrocentraleve Ulëz e Shkopet, Erin Ndreca tha se ky bashkëpunim mes kompanisë dhe bashkisë Mat do të vazhdojë. Në liqenet Ulëz e Shkopet është e ndaluar gjuetia deri në fund të muajit Maj për shkak se në këtë periudhë peshku bën shtimin natyral të tij.