Më shumë se 40 familje që jetonin në këtë pallat në lagjen e re të Bulqizës, prej dy vitesh janë në pritje për banesat e reja. Disa nga këto familje ishin strehuar tek të afërmit e tyre, e një pjesë tjetër dolën me qera, të cilën jua paguan shteti. Megjithatë, ata kërkojnë që të kenë shtëpitë e tyre dhe të mos sorollaten më në objekte që nuk janë të përshtatshme për banim. Pallati i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019, është ende aty, ndërsa instancat nuk kanë bërë as shembjen e tij. Disa nga familjet janë rikthyer në banesat e tyre, pasi nuk kanë më ku të jetojnë sepse tek të afërmit ishin strehuar për një periudhë të shkurtër kohore. Ata kërkojnë rindërtimin e pallatit pasi u bënë dy vite që nuk kanë një banesë të sigurtë.

Familjet e rikthyera në banesat e tyre në këtë pallat, po rrezikojnë jetën, ndërsa institucionet nuk po e zgjidhin çështjen.

 Ndërkohë, nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu shprehet se procedura ka mbetur tek Ministria e Rindërtimit. Sipas tij, Bashkia Bulqizë ka ofruar dy vende të ndryshme për ndërtimin e një pallati të ri që do të strehonte të gjitha familjet e dëmtuara, por nga ana e Ministrisë së Rindërtimit nuk është bërë asgjë për nisjen e punimeve.