Bashkia Bulqizë, në bashkëpunim me fondacionin ‘Fundjavë Ndryshe’ dhe ‘ikubINFO’, kanë bërë të mundur ndërtimin e një shtëpie për familjen Rushiti në Bulqizë, kryefamiljari i së cilës, Rexhepi, humbi jetën para pak kohësh gjatë një aksidenti në minierë.
Përmes një videoje të ndarë në rrjetet sociale, ‘Fundjavë Ndryshe’ shkruan se shtëpia e tyre ishte në gjendje të rëndë, ndaj pas thirrjes për ndihmë u bë e mundur ndërhyrja për ndërtimin e shtëpisë së re.
Lajmi i gëzueshëm është përshëndetur edhe nga vetë krebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i cili përmes një postimi në ‘Facebook’ ka falenderuar partnerët që u angazhuan në realizimin e kësaj vepre humanitare. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se përveç shtëpisë së re, kryefamiljares Irena Rushiti i është ofruar edhe punë, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për t’u kujdesur për fëmijët e saj.
Ajo u shpreh shumë falenderuese ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për ndërtimin e shtëpisë. “Zoti jua shpërbleftë kudo që ndodheni dhe faleminderit shumë, se këtë shtëpi unë nuk e kam pasur asnjëherë në jetën time”, – tha ajo.
Kujtojmë që kryefamiljari Rexhep Rushiti, 33 vjeç, humbi jetën më 29 tetor të vitit të kaluar si pasojë e një aksidenti në minierën e ‘Balgjajt’, në Njësinë Administrative Selishtë në Bashkinë Dibër, së bashku me dy persona të tjerë, si pasojë e asfiksimit. Ata u gjetën të pajetë në thellësi të galerisë, rreth 80 metra nëntokë.
Galeria ishte mbyllur që në vitin 2012 dhe ishte rihapur dhe mbyllur sërish brenda vitit 2017, ndërsa Rexhepi me dy shokët e tij, inxhinieri Ismail Hoxha dhe Fatos Çesku kishin shkuar për inspektim.
Ngjarja e rëndë shokoi mbarë opinionin publik, ndërsa menjëherë pas saj, Bashkia Bulqizë bëri të ditur se do t’u gjendej në ndihmë familjarëve të të ndjerëve, duke iu siguruar ndihmë ekonomike.