Me gjithë vështirësitë me të cilat po përballet sektori i bujqësisë, ka nga ata persona që nuk i ndahen këtij sektori. Xhevahir Hyseni, nga fshati Grezhdan i Maqellarës, prej 30 vitesh punon tokat bujqësore të banorëve me mjetin agregat të tij. Ai tregon se nga viti në vit situata ka ardhur duke u përkeqësuar për shkak të rritjes së çmimit të karburantit dhe çmimeve të tjera të sektorit bujqësor. Megjithatë, ai shprehet se e ka vijuar punën, ndonëse me sforco. Sipas Xhevahir, banorët kanë ulur sipërfaqen që punojnë e shumë prej tyre e lënë djerrë. Shpesh Xhevahiri përballet me vështirësi për të marrë pagesën e punës së kryer. Shpesh detyrohet t’i presë fermerët të shesin prodhimin dhe më pas ta paguajnë.

Nga ana tjetër, Xhevahir thotë se edhe ai është gati ta lërë këtë punë nëse nuk ka ndryshim të situatës, pasi banorët nuk po i  punojnë më tokat e tyre.

Vetëm një pjesë shumë e vogël e tokave bujqësore të fshatit Grezhdan në Maqellarë të Dibrës punohet, për shkak të çmimeve të larta por edhe largimit të krahut të punës.