Të Mërkurën janë zhvilluar ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Shqipërisë. Ekipi i Burrelit e nisi këtë garë me ndeshjen e transfertës ndaj Besëlidhjes së Lezhës. Duke qenë se vëmendja më e madhe është përqendruar në garën në kampionat, stafi teknik ju dha mundësinë lojtarëve të paaktivizuar asnjë minut në dy ndeshjet e kampionatit që të luanin përballë ekipit të Besëlidhjes. Por edhe kjo përballje ashtu si dy ndeshjet e para të këtij sezoni ka përfunduar me rrjeta të paprekura. Asnjëri nga ekipet nuk ka arritur të finalizojë aksionet për të shënuar në portën kundërshtare. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet me datë 14 Tetor në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Nga ana tjetër, forcat janë përqendruar në garën e kampionatit ku këtë të shtunë matjanët do të përballen në transfertë me ekipin e Butrintit të Sarandës. Kjo ndeshje pritet të jetë pika e kthesës për skuadrën e Burrelit pas dy barazimeve të mbajtura në Pukë kundër Tërbunit dhe në “Liri Ballabani”, ndaj Tomorit të Beratit.