AKTIVITET I KLUBIT LETRAR, BIBLIOTEKËS “P. BUDI”, MAT DHE ZVAP MAT

Salla e vogël e aktiviteteve të Bibliotekës publike “Pjetër Budi”, Mat, u përmbyt nga një lum poezish të interpretuara nga nxënësit e shkollave të qytetit Burrel, në Ditën Botërore të Poezisë, në prani të poetëve matjanë. Aktiviteti u organizua nga Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, në bashkëpunim me Bibliotekën e Bashkisë Mat, dhe Zyrën Vendore Arsimore Mat.

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Mat, Hamdi Hysuka, mbajti fjalën kryesore kushtuar Ditës së Poezisë.

Në emër të Bashkisë Mat përshëndeti krijuesit letrarë Zëvendëskryetari i Bashkisë Myslym Zeneli, i cili garantoi më shumë mbështetje nga pushteti vendor për organizimin e evente të tilla.

Fjalën e saj Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha e nisi me veçoritë e vargut poetik të disa poetëve matjanë që ka lexuar dhe më pas dha mesazhin e përcjelljes së kësaj fryme te brezi i ri për ta dashurur më shumë librin dhe poezinë:

Më pas ishin nxënësit anëtarë të Bibliotekës Mat dhe ato të apasionuar pas letërsisë, që recituan poezi të autorëve matjanë dhe jo vetëm duke sjellë emocion mes të ftuarve, atorëve matjanë dhe mësuesve të letërsisë të shkollave të qytetit Burrel.

Përgjegjësja e Bibliotekës publike Mat, Fiqerete Kurti, si bashkë-organizatore e kësaj veprimtarie, përmbylli takimin letrar duke theksuar se Matit, kësaj treve me histori të lashtë, djep i kulturës dhe i artit kombëtar, nuk i ka munguar fjala poetike. Madje nuk është aspak rastësi që poezia shqipe nis me Pjetër Budin e Gurit të Bardhë të Matit, dhe pasardhësit e tij matjanë vijonë ta përfaqësojnë denjësisht edhe sot në arenën kombëtare.

Fatmir NELI